THIRRJE E HAPUR: GRANTE PËR IDE DHE PLANE TË BIZNESIT PËR TË RRITUR BASHKËPUNIM EKONOMIK NDËRETNIK

Nëse keni një ide dhe plan biznesi që mund të përmirësojë bashkëpunimin e bizneseve ndëretnike dhe që përfshin një komponent të fuqishëm ndëretnik, atëherë aplikoni për Bridgeafund, skemën e granteve të lansuar nga Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve (ADRC) në kuadër të projektit ‘Nxitja e mirëkuptimit dhe zhvillimit të ndërsjellë’ mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë.

 

Përshkrimi i Projektit

Nxitja e mirëkuptimit dhe zhvillimit të ndërsjellë është projekt i zbatuar nga ADRC dhe i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë. Projekti synon të vendosë bashkëpunimin ndëretnik në nivel të biznesit në qendër të punës dhe proceseve të pajtimit, të promovojë përfitimet e tij dhe të ofrojë një platformë që stimulon dhe mbështet angazhimin dhe bashkëpunimin e përbashkët në nivel biznesi. Kёtё e arrin duke ofruar, ndër të tjera, mundësi financimi (përmes Skemës Bridgeafund) për ide dhe plane tё biznesit që mund të përmirësojnë komunikimin, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndëretnik në nivel biznesi.

 

Hyrje

Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës mbeten të tensionuara dhe të komplikuara. Kjo është përkundër përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile për të lehtësuar komunikimin, rindërtimin e lidhjeve dhe promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë. Mungesa e zhvillimit socio-ekonomik shton një shtresë të mëtejshme barre dhe shqetësimi mbi komunitetet dhe marrëdhëniet në mes tyre. Këto mund të adresohen nga komunikimi i shtuar ndëretnik, qëndrueshmëria e të cilit mund të vendoset më së miri përmes bashkëpunimit në nivel të bizneseve të bazuar në interes.

Forcimi i interesave ekonomike dhe i lidhjeve ndërmjet ‘palëve kontestuese’ lehtëson dhe kontribuon në rritjen dhe komunikimin e tyre të qëndrueshëm. Kjo është një nga forcat kyçe për të thyer paragjykimet dhe narrativat e dëmshme në një periudhë afatgjate. Për shembull, pjesëtarët e komuniteteve që komunikojnë më shpesh me homologët e tyre nga komunitetet e tjera, qoftë për qëllime pune apo tregtie, kanë distancë më të ulët etnike ndaj atij grupi etnik dhe anasjelltas. Prandaj, normalizimi ekonomik i marrëdhënieve në nivel komunitar mund të kontribuojë gjithashtu në normalizimin politik të marrëdhënieve dhe ndryshimin e diskursit në një shkallë më të gjerë.

Nxitja e mirëkuptimit dhe zhvillimit të ndërsjellë dhe Skema Bridgeafund njohin rëndësinë dhe kontributin e bashkëpunimit ndëretnik  në nivel biznesi të bazuar në interesa të ndërsjella për të zvogëluar mosbesimin, moskomunikimin dhe paragjykimet dhe rritur angazhimin të përbashkët dhe zhvillimin ekonomik. Prandaj, projekti kërkon të mbështesë ose financojë zgjidhje, ide, start-up dhe projekte që kanë potencial për të kontribuar në këto synime. Skema Bridgeafund është një fond i financimit apo granteve, që do të përdoret për të mbështetur ose financuar zgjidhjet, idetë, start-up-et dhe projektet si më lartë, dhe është hera e dytë që shpërndahen mjete nga ky fond.

 

Objektivi dhe qasja e Thirrjes së Hapur sipas Skemës Bridgeafund

Objektivi i raundit të dytë të Skemës Bridgeafund është të afrojë dhe të shpërblejë zgjidhje biznesi, ide, start-up dhe projekte që mund të kontribuojnë në bashkëpunimin ekonomik ndëretnik në rajonet e Mitrovicës (Mitrovica Jugore, Mitrovica Veriore, Leposaviq, Skenderaj, Vushtrri. Zubin Potok, Zveçan) dhe Prishtinën, duke përfshirë edhe Graçanicën. Të gjitha ndërhyrjet duhet të synojnë arritjen e këtij qëllimi. Me fjalë të tjera, ADRC dhe partnerët e saj presin zgjidhje, ide, start-up dhe projekte që janë në gjendje të krijojnë bazë të ndërveprimit biznes-biznes, simulojnë dhe lehtësojnë bashkëpunimin, ndihmojnë në ndërtimin e rrjeteve midis bizneseve përtej ndarjeve etnike, dhe që mund të prodhojnë të ardhura dhe punësim në rajonet e referuara.  

Aplikantët në këtë Thirrje të Hapur mund të jenë start-up-et ose ndërmarrje ekzistuese NVM që operojnë në një ose më shumë nga këto fusha, përbërja e të cilëve ka ose synon të ketë një komponent ndëretnik, dhe idetë dhe planet e të cilëve kanë potencialin të kontribuojnë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik ndëretnik.

Aplikantët ftohen të konsultojnë hulumtimin e ADRC-së Vlerësimi i Bashkëpunimit Ekonomik Ndëretnik në Kosovë, i cili raporton mbi fushat e bashkëpunimit ekonomik ndëretnik gati për angazhim dhe/ose ndërhyrje. Publikimi liston një sërë pengesash që mund të adresohen nga aplikantët dhe të paraqiten ide dhe plane biznesi.

Idetë dhe planet e biznesit do të vlerësohen nga një panel profesional duke iu referuar fizibilitetit, impaktit, inovacionit dhe qëndrueshmërisë së tyre. Më pas, idetë dhe planet më të mira do të marrin grante nga Skema Bridgeafund. Aplikantët pritet të demonstrojnë në aplikim në mënyrë të qartë se si ideja dhe plani do të ruajë qëndrueshmërinë dhe do të vazhdojë të funksionojë pas përfundimit të periudhës së grantit (shih më poshtë). Qëndrueshmëria luan një rol të madh në procesin e vlerësimit. Nuk mund të paraqiten më shumë se 1 aplikim për këtë Thirrje të Hapur, përshtatshmëria e të cilit (si e idesë, ashtu edhe e planit dhe buxhetit) do të vlerësohen detajisht nga paneli.

Zbatimi i ideve dhe planeve të përzgjedhura mund të zgjasë deri në mars 2022 dhe do të monitorohet dhe asistohet nga ADRC. Shuma minimale për grante për të cilën mund të aplikohet është 5 000 Eur dhe maksimumi 7 500 Eur. Do të ofrohen të paktën dy grante.

 

Dorëzimi i Ideve dhe Planeve të Biznesit dhe Afati

Aplikimet mund të dorëzohen në gjuhën shqipe, serbe ose angleze dhe duhet të përmbajnë Formularin përkatës të Planit të Biznesit, i cili përmban një Model Buxheti të bashkangjitur këtu: Forma e planit te biznesit dhe modeli i buxhetit. Ju lutemi përdorni këtë link/dokument për të plotësuar aplikacionin tuaj. Shumat ose nevojat e referuara në buxhet duhet të përputhen me shpjegimet e dhëna në Formularin e Planit të Biznesit.

 Aplikimet mund të dorëzohen me email tek info@mediation-mitrovica.org ose zana.syla@mediation-mitrovica.org

Aplikimet që nuk janë përgatitur dhe dorëzuar sipas kërkesave dhe kritereve të kësaj Thirrje, janë të pakompletuara ose të dorëzuara pas afatit të fundit (që është 7 nëntor 2021) nuk do tё mirren nё konsideratё.

Aplikantët do të informohen menjëherë pas përfundimit të afatit për rezultatin e aplikimeve të tyre dhe procesin e vlerësimit dhe përzgjedhjes, i cili do të kryhet në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të dokumentuar nga përfaqësuesit e ADRC, partnerët e saj dhe vlerësuesit e jashtëm të mundshëm.

 

Informata Shtesë

Ju mund t’i dërgoni ADRC-së çdo pyetje tjetër që mund të keni deri më 4 nëntor 2021, ora 17:00 dhe përgjigjet do të jepen deri më 5 nëntor 2021. Për të siguruar trajtim të barabartë të aplikantëve, nuk do të jepet asnjë opinion paraprak për pranueshmërinë e aplikantëve, partnerë ose bashkëpunëtorë, ide ose aktivitete specifike.

 

Shtojcat

Forma e planit te biznesit dhe modeli i buxhetit 


Thirrja e hapur pёr grante/ide dhe plane të biznesit për të rritur bashkëpunimin ekonomik ndëretnik është zgjatur deri të dielën, 21 nëntor 2021. Aplikoni tani.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top